Në ambientet e Autoritetit Rrugor Shqiptar, u zhvillua një takim pune me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm Ami Kozeli, Kryetarit të Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, deputetes së zonës Sara Mila, si dhe administratorëve të njësive administrative të prekura nga projekti i Korridorit VIII, segmenti Elbasan–Lekaj. Në fokus të diskutimeve ishin shqetësimet dhe problematikat e ngritura nga banorët përgjatë këtij aksi rrugor, veçanërisht çështjet që lidhen me procesin e shpronësimeve dhe garantimin e aksesit për pronat dhe banesat pranë gjurmës së projektit. Gjatë takimit, palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe ranë dakord që çdo problematikë e evidentuar gjatë fazës së zbatimit të punimeve të trajtohet me prioritet dhe në mënyrë individuale, me synim gjetjen e zgjidhjeve sa më efektive dhe në interes të komunitetit. Takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët për të vijuar komunikimin e vazhdueshëm me banorët dhe koordinimin ndërinstitucional, në funksion të realizimit me sukses të projektit strategjik të Korridorit VIII.
