Inspektim në terren për lirimin e hapësirave publike

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku së bashku me Drejtorin e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe IKMT Inspektuan në terren aksin rrugor Kamëz-Laç, ndërsa tha se në këtë nyje të rëndësishme të dyja anët e rrugës janë të ngarkuar me biznese, të cilat kanë zënë hapësirën publike.

Zëvendëskryeministrja falënderoi ato biznese që kanë nisur të tërhiqen vetë nga sipërfaqet e zaptuara në anët e akseve kombëtare, teksa ftoi qytetarët që të denoncojnë çdo rast ku evidentohen shkelje të hapësirave publike.

“E gjithë kjo reformë do të shkojë deri në përfundim të saj, duke liruar çdo centimetër hapësirë. Qeveria Shqiptare është më e angazhuar se kurrë. Të gjitha trupat tona janë në terren. Ne kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve, pasi shumë indicie vijnë nga mesazhet e tyre, të cilat në shumicën e rasteve rezultojnë që janë të sakta dhe të drejta. Kështu që ju nxisim që të vazhdoni dhe të denonconi çdo rast shkelje të hapësirave publike apo dhe të sigurisë rrugore”, nënvizoi Balluku.

Kryeinspektorja Bici dhe Drejtori Gjyli njoftuan se grupet e IKMT dhe ARRSH janë në terren për të ndjekur të gjithë procesin dhe njoftuar bizneset për zbatimin e vendimit.