Thumanë-Kashar, autostradë e re që ndërlidh Veriun me kryeqytetin

Projekti i rrugës Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar, 20.8 kilometra e gjatë, parashikon ndërtimin e një autostrade të re të tipit “A”, me standarde bashkëkohore dhe rëndësi të veçantë për infrastrukturën rrugore që vendit, që ndërlidh  veriun me kryeqytetin.

Ky segment rrugor është projekti i dytë në programin e qeverisë “1 miliard për rindërtim”, që pason projektin e rrugës së Arbrit, punimet për ndërtimin e së cilës filluan një ditë më parë.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Afrim Qendro, u shpreh për ATSH-në se, autostrada e re lidh zonat e banuara Thumanë, Fushë-Krujë, Vorë, aeroporti i Rinasit, Kashar, duke përfshirë gjithashtu një kryqëzim të ri i cili lidh autostradën e re me autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës.

Pjesa fundore e Autostradës së re, e pozicionuar pas kryqëzimit me autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës, do të rakordohet me projektin e “By-Pass-it” të Tiranës, i cili nuk është pjesë e këtij projekti.

Kosto e projektit të autostradës Thumanë- Kashar llogaritet në 244 milionë euro dhe përfshinë ndërtimin e 12 urave, rrugës kryesore dhe rrugëve dytësore.