Fjala e drejtorit të ARrSh-së Afrim Qëndro në koferencë për shtyp – Ja gjendja e urave në Shqipëri

Rrjeti rrugor kombëtar përbëhet prej 3975 km dhe përmban afërsisht 1200 vepra arti (ura, tombino rrethore dhe tip boks). Nga këto:

– 574 janë vepra arti të vogla

– 626 janë ura me hapsirë dritë mbi 10 m

– 56 janë ura mbi 100 m

Nga i gjithë rrjeti kombëtar rrugor rreth 1330 km rrjet mirëmbahen nga programi i Bankës Botërore,  ndërsa rreth 2645 km rrugë mirëmbahen nga kontratat e Drejtorive Rajonale sipas rajoneve përkatëse të menaxhuara nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Monitorimi i urave dhe i veprave të artit bëhet nëpërmjet kompanive të mirëmbajtjes, kjo e ndarë në dy pjesë, kompanitë e mirëmbajtjes janë të ndara në tri rajone, Rajoni i Veriut, i Tiranës dhe i Jugut, dhe kompanitë që punojnë në projektin e mirëmbajtjes me perfomancë të Bankës Botërore.

Për të gjitha veprat e artit bëhet një kontroll periodik, 2 herë në vit. Kemi ndërhyrë në 3 vitet e fundit në 25 ura, gjithashtu nga projekti i TAP-it, i cili është zhvilluar në Shqipëri, janë përmirësuar me projekte të miratuara nga ARrSh-ja 30 ura. Atyre u janë përmirësuar gjithë karakteristikat teknike, aftësitë mbajtëse dhe gjithë elementet e tjera. Gjithashtu, ne kemi ndërhyrje në disa ura, që janë duke u bërë ura të reja, si: Ura e Drojës, Ura e Zëmblakut dhe ura në Sulot.

Kjo do të thotë që ne jemi në mënyrë të vazhdueshme në monitorim dhe në ndërhyrje për të gjitha veprat e artit që ka rrjeti rrugor shqiptar.

Dua që të bëj një deklaratë:

Ne nuk jemi në panik, as në emergjencë, as në alarm. Jemi në monitorim të vazhdueshëm. Kemi pasur një situatë gjatë reshjeve të vitit të kaluar, për Urën e Drojës dhe Urën e Zëmblakut, ku është ndërhyrë menjëherë. Ura e Zëmblakut, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes është riparuar plotësisht, kurse për Urën e Drojës u desh më shumë kohë. Aktualisht jemi në 60 %-70 % të punës, jemi në momentin e vendosjes së trarëve dhe presim që për pak kohë, për një afat prej dy muajve, të mbarojë.

Nga analiza që bën ARrSh-ja, pavarësisht ngjarjes në Itali, që vitin e kaluar kemi kërkuar në buxhet për të bërë projektet për urat më problematike që kërkojnë ndërhyrje.

Gara është në proces final, brenda dy javëve ne do të kemi kontratën me kompaninë fituese, e cila do të bëjë projektin, ku do të nxjerrë të gjitha elementet teknike sipas listës së paraqitur, ndërhyrjet, plotësimet, përmirësime ose urë e re.

Nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës është duke u ngritur një grup pune, ku do jetë Autoriteti Rrugor Shqiptar, Instituti i Ndërtimit, Drejtoria e Emergjencave dhe mund të thërrasim edhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit për të bërë një inspektim të përgjithshëm për të gjitha urat. Kjo jo sepse ARrSh-ja nuk e ka kryer detyrën e vet, apo kompanitë, por për shkak të ndarjes që ka pësuar rrjetit rrugor shqiptar, ku një pjesë i ka kaluar pushtetit lokal, bashkive përkatëse, që nuk i kanë kapacitet dhe ekspertizën e mundshme. Ndaj në fund të procesit të gjitha bashkive në Shqipëri do t’u vëmë një material në dispozicion për të shmangur të papriturat që mund të ndodhin në këto vepra.

Dua të theksoj faktorët pse ndodhin këto probleme në këto vepra arti:

  1. Jetëgjatësia e urës,
  2. Shkalla e ekspozimit,
  3. Pesha mbi aks,
  4. Intensiteti i trafikut në njësinë e kohës,
  5. Gërryerja e bazamenteve lumore dhe mënyra se si shfrytëzohen,
  6. Mirëmbajtja,
  7. Monitorimi që duhet të bëjë policia rrugore për zbatimin e sinjalistikës.

Ne jemi në një punë të vazhdueshme, bashkëpunimi ynë me policinë është shumë i ngushtë për gjithë sinjalistikën e vendosur nëpër ura, kemi kryer të gjitha investigimet, sinjalistika është e plotë. Por kemi një problem me disa fusha që operojnë në transportin e mallrave, ka kompani që nuk e respektojnë korrektësisht peshën mbi aks. Si kompanitë që shfrytëzojnë lumenjtë, kompanitë e naftës, kromit dhe ndërtimit. Këto kompani duhet të respektojnë rigorozisht peshën sipas kodit rrugor në aks dhe të bëjnë shumë kujdes.

Gjej rastin të shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë ata që humbën jetën në aksidentin e Gjenovës, në mënyrë të veçantë ngushëlloj familjet e dy shqiptarëve për humbjen e thellë të të afërmve të tyre.

Urat që janë planifikuar në buxhet për hartimin e projekteve të ndërhyrjes apo ndërtimit (aktualisht në proces tenderimi).

  1. Ura e Leklit
  2. Ura e Dragotit
  3. Ura e Vorës
  4. Ura e Tapizës
  5. Ura e Drojës
  6. Ura e Zëmblakut
  7. Rikonstruksion i urës së Kaludhit
  8. Nyja në disnivel ne Bushnesh
  9. Ura lidhëse e rrugëve Levan – Tepelenë me Dragot – Tepelenë

ARrSh-ja ka menduar që të bëjë një urë të re për të lidhur aksin që shkon drejt Korçës, pa hyrë në qytetin e Tepelenës.

Për sa i përket Urës së Skurajit, që është pjesë e segmentit Milot-Morinë, nuk ka qenë një urë në rrezik për t’u rrëzuar, teknikisht në shpatullën  e urës nga krahu i Skurajve ka pasur një gërryerje të lumit, pas këqyrjes ne i jemi drejtuar kompanisë konçensionare, që ka në mirëmbajtje atë segment. Brenda 24 orëve është bërë ndërhyrja dhe është kthyer në kushte normale teknike.

Aksidenti që ka ndodhur pa hyrë tek Ura e Kamzës, ky është një segment rrugor, që është në mirëmbajtje nga kontrata që kemi me Bankën Botërore. Ne jemi në konsultë të plotë me kompaninë, me konsulentin monitorues, me projektuesin e kompanisë, për të paraqitur zgjidhje teknike të mundshme dhe pas saj do t’i drejtohemi Bankës për të gjetur dhe mundësinë për të ndërhyrë, sepse jemi në një kontratë mirëmbajtje dhe jo në një kontratë që investohet, por shumë shpejt do të ketë një zgjidhje.

Ka ura për shkak të moshës dhe gjendjes teknike të tyre, që duhet të bëjmë ndërhyrje, por  nuk janë në rrezik aktual për kalueshmërinë e tyre.

Më problematikë më të madhe është ura në Dragot dhe kjo vetëm nëse nuk zbatohen rigorozisht tabelat dhe sinjalistikat që ne kemi vendosur në hyrje-daljen e kësaj ure. Mendojmë që projekti që kemi hartuar do na japë një produkt në fillim të vitit që vjen dhe në parashikimin e buxhetit për vitin 2019, në bazë të projektit dhe kostove që do na nxjerrë kompania, ne do të bëjmë ndërhyrjen. Gjatë vitit që vjen mendojmë që këto ndërhyrje mund të realizohen, hiq rastin në momentin që do të na duhet të ndërtojmë një urë të re, e cila kërkon edhe buxhet me të madh, edhe më shumë kohë, sipas një grafiku teknik që duhet bërë për këtë urë.

Ura e Vorës ka gati dy vjet që i është bërë inspektimi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kemi kryer ndërhyrjen, e cila mbaron në fund të këtij muaji dhe trafiku i mjeteve të lehta mbi të nuk paraqet asnjë rrezik.

Në fund të projektit do të shohim se ç’do të thonë specialistët dhe ekspertët, cili do të jetë niveli i ndërhyrjes mbi të.