Prononcimi i Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro në aksin Qafë Kashar-Vorë ku po ndërhyhet për riparimin e shtresave asfaltike të dëmtuara

Drejtori i ARRSH, Afrim Qendro: Sot fillojmë ndërhyrjen emergjente në paketën e shtresave asfaltike në segmentin Tiranë-Durrës, ose më saktë Kashar-Durrës. Është një ndërhyrje e cila bëhet brenda kontratës së mirëmbajtjes që ne kemi me Bankën Botërore dhe fondet janë gjetur nga kjo kontratë. Do ndërhyhet në 31 mijë metra katrorë, pjesa më e rëndësishme kap drejtimin Kashar-Durrës. Mendojmë që këto punime që përfundojnë brenda muajit Qershor. Elementët e sigurisë rrugore, dhe kalueshmëria do përmirësohen shumë herë më mirë dhe nuk do kemi këto probleme që kemi aktualisht me këtë segment rrugor. Natyrisht nuk është rehabilitim i plotë, projekti i rehabilitimit të cilin e bëmë gati Banka Botërore nuk iu përgjigj sepse dilte jashtë kontekstit të kontratës. Autoriteti Rrugor është duke e përpunuar këtë projekt dhe po mundohemi për të gjetur fondet për ta bërë me Buxhetin e Shtetit.

 

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri: Siç edhe u bë një ekspoze nga Drejtori i Përgjithshëm, po fillojmë ndërhyrjen në një nga segmentet më të rënduara dhe më problematike të rrugëve kombëtare shqiptare. Jemi këtu në aksin Tiranë-Durrës e cila për shumë vite, duhet theksuar për shumë e shumë vite, nuk ka patur mirëmbajtjen e duhur. Një aset kaq i rëndësishëm i lënë për shumë shumë vite pa ndërhyrje, patjetër që erdhi në momentin ku nuk mbante më dhe situata degradoi në këtë pikë. Realisht, siç e tha edhe drejtori, kjo është ndërhyrje emergjente, pra kjo është për të përballuar fluksin dhe për të eliminuar të gjitha problematikat që janë shfaqur në këtë rrugë. Kjo rrugë meriton një ndërhyrje më serioze të cilën ne jemi duke planifikuar. Dua të theksoj diçka meqenëse edhe ka patur kritika apo debate se përse këto nuk janë filluar më pare. Duhet të kuptoni se kontrata e mirëmbajtjes me Bankën Botërore prej 1300 km rrugë ka patur problemet e veta të trashëguara dhe realisht gjatë këtyre muajve ne përgatitëm të gjitha projektet. Zgjidhëm të gjitha ngërçet kontraktuale dhe administrative që kishte mes këtij projekti i cili ishte gati të dështonte dhe autoriteteve shqiptare. Sot që flasim, jemi në fazën që ky projekt do të funksionojë në mënyrë më intensive.

 

Ky nuk segmenti i vetëm që ndërhyhet, në të gjithë Shqipërinë, në muajt në vazhdim do të shikoni ndërhyrje serioze në shumë akse rrugore. Pra janë të gjitha akset kryesore kombëtare që janë me këtë kontratë, qoftë në jug, qoftë në veri të cilat do të kenë ndërhyrje serioze për sa i përket rehabilitimit, përsa i përket mirëmbajtjes normale ku do të eliminohen të gjitha ato probleme të trashëguara ndër vite. Dua që të na mirëkuptojnë qytetarët sepse këto ndërhyrje vërtet krijojnë edhe probleme në trafik por kantieret janë të domosdoshme, kantieri gjithmonë ka probleme, ndërhyrjet janë të domosdoshme, nuk ka mënyrë tjetër që pa kryer ndërhyrjet të realizohet edhe trafiku njëkohësisht. E rëndësishme është që janë marrë të gjitha masat që të punohet 24 orë. Siç e tha drejtori, brenda Qershorit ky segment do të jetë plotësisht i rehabilituar, pra e gjithë rruga Tiranë-Durrës do të jetë plotësisht e riparuar dhe nuk do të kemi më ato problem, do të jetë e hapur për trafikun. Pra, bëhet fjalë maksimumi vetëm dy javë shqetësim. Të njëjtën gjë mund të them edhe për segmente të tjera rrugore ku mund të ketë kufizime të qarkullimit për shkak të ndërhyrjeve të nevojshme. Fakti që filluam tani, dua ta theksoj, është për shkak të lënies pas dore për shumë kohe dhe keqmenaxhimit të kësaj kontrate në fazat e para.

Këto 6 muaj Autoriteti Rrugor ka bërë një punë shumë të mirë sëbashku me bankën dhe tashmë kontrata është përfundimisht funksionale dhe është duke u zbatuar. Dua ti bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve, ne jemi duke bashkëpunuar edhe me Policinë e Shtetit në mënyrë që të disiplinohet trafiku. Qytetarët që duan të shkojnë në jug e kemi thënë edhe publikisht të marrin rrugën e Elbasanit dhe të shkojnë në Rrogozhinë, pra për të evituar këtë segment. Pjesa tjetër, sipas devijimeve që janë bërë tashmë të njohura të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë së Shtetit që janë bërë të qarta dhe kanë sinjalistikën e nevojshme për të drejtuar trafikun.

 

Pjesa e pyetje-përgjigjeve me gazetarët:

 

Pyetje: Z.Gjiknuri pse nuk arritët dot ta bindnit Bankën Botërore për të pasur një financim më të plotë për ndërhyrjen në këtë rrugë, sesa të bësh një ndërhyrje emergjente?

 

Ministri Gjiknuri: Sepse projekti i bankës është për mirëmbajtje, kjo rrugë është konsumuar dhe është shkatërruar. Kini parasysh është një rrugë e cila është ndërtuar gati 20 vite më parë dhe është një rrugë e cila edhe për shkak të tonazheve të rënda, shpeshherë në tejkalim të kufijve ligjorë dhe këtu dua ta theksoj që ne do të punojmë me Policinë e Shtetit, me Policinë Rrugore të mos lejojmë më kamionët të mbingarkohen dhe të kalojnë në këtë rrugë. Pra ta mbajnë ato nivele peshash të cilat lejohen sipas ligjit. Pra rruga është shumë e vjetruar, nuk ka pasur ndërhyrje në kohë dhe ky është një problem serioz për gjithë infrastrukturën në Shqipëri. Prandaj e kemi thënë që infrastruktura është një tjetër gjë ta bësh, mund të shpenzosh para për ta bërë, kjo vlen për Rrugën e Kombit, për çdo rrugë tjetër që ka pasur debat. Rrugën mund ta bësh, por nëse nuk investon në vazhdimësi mund të degradojë në pikën që kërkon të bëhet nga e para. Fatkeqësisht, kjo rrugë kërkon ndërhyrje shumë serioze, të cilat projekti i bankës nuk i përfshin.

 

Pyetje: Mos ka ardhur koha të hapim një debat edhe për Tiranë-Durrës për ta bërë me tarifë?

 

Ministri Gjiknuri: Nuk jemi këtu për këtë çështje. Kjo është strategjia e qeverisë shqiptare që ka qenë e miratuar me kohë. Kjo është një gjë që do të trajtohet hap pas hapi. Duhet thënë që rrugët kanë nevojë për financime serioze. Nevoja për investime në rrugë është shumë më e madhe sesa ka mundësi Buxheti i Shtetit. Nëse duam infrastrukturë të gjitha duhet të kontribuojmë për këtë.

 

Pyetje: Si e përballon fluksin turistik rruga e devijuar?

 

Ministri Gjiknuri: E thashë, kjo rrugë do të vazhdojë me probleme herë pas here të bllokimit, megjithëse po punohet 24 orë. Dua ta theksoj, deri në fund të qershorit pasi në Korrik dhe Gusht nuk do të ketë më problem. Korriku dhe Gushti është kulmi i fluksit dhe normalisht është e përballueshme.

 

Pyetje: Pse tani kjo ndërhyrje dhe kur pritet të kemi një rikonstruksion të plotë?

 

Ministri Gjiknuri: Kjo është për një periudhë të shkurtër. Brenda kësaj periudhe po shikojmë, po përfundojmë të gjithë projektin e detajuar dhe do të sigurojmë financimin për të bërë të mundur ndërhyrjet më serioze të cilat mund ti japin jetë rrugës për shumë vite.

 

Pyetje: Z. Gjiknuri keni nisur ndërhyrjet dhe në aksin Kolonjë-Fier duke devijuar trafikun në njërën anë, për sa kohë mund të vazhdojë kjo ndërhyrje dhe kur mund të përfundojë?

 

Përgjigja nga drejtori i ARRSH, Qendro: Pjesa nga rotondo deri në hyrje të qytetit të Fierit në Mbrostar, besoj që brenda dy javësh është e mbyllur. Këtë javë drejtimi nga Lushnja për në Fier mbaron asfaltimi. Fillon që sot asfaltimi për një javë mbaron dhe besoj do edhe një javë drejtimi tjetër. Kështu që ne sezonin turistik, që fillon realisht në Korrik, kjo pjesë do jetë e përfunduar.

 

Ministri Gjiknuri: Dua të them edhe një gjë për ata që spekulojnë politikisht se pse qeveria ndërhyn tani. Fatkeqësisht për çdo gjë që bën të thonë plaç, por realisht ata që kërkojnë llogari pse u ndërhy tani dhe jo më pare, të fillojnë ta kërkojnë llogarinë te vetja ku kanë patur mundësi që ti bënin këto ndërhyrje kohë më parë dhe jo ta linin rrugën të katandisej deri në këtë pikë. E rëndësishme është që qeveria me intensitet të plotë dhe me vëmendjen edhe për shkak sensibilitetit të krijuar filloi ndërhyrje emergjente në çdo vend që rrugët kanë probleme të trashëguara ndër vite. Ju garantoj një gjë që rrugët do të jenë shumë herë më të mirëmbajtura se sa kemi parë vite më parë, qoftë nga pikëpamja e sinjalistikës, qoftë nga pikëpamja e ndërhyrjeve dhe kjo nuk diskutohet.